Presidenti i Turqisë ka refuzuar me forcë kërkesën e SHBA, që vendi i tij të mos sulmojë luftëtarët kurdë në Siri, pas tërheqjes së trupave amerikane. Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se deklaratat e bëra në fundjavë nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, ishin të “papranueshme”.

Sipas asaj që shkruan BBC, Bolton ndodhet në Ankara për të kërkuar garancinë se trupat e milicisë kurde, që luftojnë Shtetin Islamik të jenë të mbrojtur, pas tërheqjes së mbështetjes amerikane. Por Turqia i konsideron këtë milici si grup terrorist.

Presidenti turk jo vetëm që e anuloi takimin me zyrtarin amerikan, por deklaroi se nuk do të “pranonte dhe përtypte” mesazhin e Bolton.

Presidenti amerikan Donald Trump tronditi aleatët dhe u përball me kritika të forta muajin e shkuar, kur urdhëroi që trupat amerikane të nisnin menjëherë tërheqjen nga Siria.

Megjithatë të dielën, duke folur për gazetarët në Izrael, Bolton tha se kjo tërheqje nuk do të ndodhte derisa të plotësoheshin disa kushte. Kushti që zemëroi më shumë Erdogan ishte këmbëngulja e Bolton që 2 mijë trupat e Amerikës do të qëndronin në Veri të Sirisë, derisa Turqia të premtonte se nuk do t’i sulmonte luftëtarët kurdë.

Nga ana e saj Turqia i konsideron kurdët pranë kufirit të saj një kërcënim serioz terrorist dhe planifikon që t’i heqë nga aty duke i sulmuar ushtarakisht.

/tvklan.al