Rexhep Taip Erdogan triumfoi në balotazhin e së Dielës për zgjedhjet presidenciale. Turqit e zgjodhën president edhe për një tjetër mandat 5-vjeçar, duke e futur dominimin e tij politik të vendit në dekadën III.

Më shumë se 52% e votuesve mbështetën Erdoganin përballë rivalit të tij republikan Kemal Këllëçdarollu. Për kreun e shtetit turk, në këto zgjedhje triumfoi demokracia.

“Besimi dhe stabiliteti janë gjërat më të rëndësishme. Do të vazhdojmë të ecim me këto parime, mbi të cilët do të ndërtojmë një ekonomi të fuqishme”.

Për rivalin e tij, zgjedhjet ishin jo të ndershme.

“Në këto zgjedhje, doli në dritë vullneti i popullit për ndryshim, pavarësisht presionit të një regjimi autoritar. Beteja jonë do të vazhdojë”.

Urime për fitoren i shprehën Erdoganit, dhjetëra liderë botërorë, duke nisur nga presidenti amerikan Xho Bajden, presidenti francez Emanuel Makron, kancelari gjerman Olaf Sholz, e presidenti ukrainas Volodimir Zelenski. Një urim e bëri edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe presidenti Bajram Begaj.

Tv Klan