Rexhep Taip Erdogan do të drejtojë Turqinë edhe për 5 vitet e ardhshme. Ndonëse me një rezultat të ngushtë ai fitoi në balotazhin e së dielës duke siguruar një mandat të tretë si President i Turqisë.

Sipas të dhënave paraprake të institucionit të administrimit të zgjedhjeve, Erdogan ka siguruar rreth 52.15 përqind të votave, kundrejt 47.85 përqind që mori Këllëçdarollu.

E përkthyer në vota, presidenti aktual ka marrë 27.7 milionë vota, ndërsa kandidati i opozitës mbi 25.4 milionë.

Kur kishin mbetur edhe fare pak kuti për t’u numëruar, Erdogan shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur në Stamboll.

Duke iu drejtuar mbështetësve, Erdogan tha se votuesit i kishin dhënë atij përgjegjësinë për të drejtuar edhe për pesë vitet e ardhshme.

“Fituesja e vetme është Turqia. Unë do të doja të falenderoja secilin anëtar të kombit tonë që na dha përgjegjësinë për qeverisjen e vendit për pesë vitet e ardhshme me zgjedhjen që ata bënë”.

Sfiduesi presidencial dhe lideri i opozitës ndërsa shprehu trishtim për të ardhmen e Turqisë, theksoi se në zgjedhjet e së dielës u shfaq vullneti i popullit për të ndryshuar një regjim autoritar.

“Ne përjetuam zgjedhjet më të padrejta në vitet e fundit. Të gjitha mjetet e shtetit u mobilizuan për një parti politike. Të gjitha mundësitë ishin vënë nën këmbët e një njeriu. Trishtimi im i vërtetë është për vështirësitë që presin vendin”.

Në zgjedhjet e së dielës ishin ftuar të merrnin pjesë rreth 64 milionë shtetas turq me të drejtë vote brenda dhe jashtë vendit, nga të cilët e ushtruan këtë të drejtë një numër rekord qytetarësh prej afro 85 përqind.

Kjo është hera e parë në dekadat e fundit që Presidenti i Turqisë zgjidhet në një raund të dytë votimesh.

Tv Klan