Një tjetër vepër madhështore ngrihet në Stamboll. Me rastin e faljes së namazit të së premtes, presidenti Rexhep Taip Erdogan preu shiritin përurues të xhamisë “Çamlica”, më e madhja në Turqi.

E vendosur në një kodër pranë ngushticës së Bosforit, xhamia e re u jep mundësinë besimtarëve myslimanë, por edhe turistëve të shumtë të sodisin pamjen e mrekullueshme të Stambollit.

Në ceremoninë e hapjes presidenti Erdogan u ndal te rritja e urrejtjes fetare dhe dënoi sulmet ndaj objekteve të kultit.

Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë :

Sulmet në emër të fesë ndaj civilëve të pafajshëm janë terrorizëm, jo xhihad. Ata që sulmojnë xhamitë dhe kishat kanë të njëjtën mendësi të errët. Ata janë armiqtë e përbashkët të njerëzimit.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe presidenti Ilir Meta përkrah disa krerë të tjerë shtetesh. Meta dhe ErdoGan u takuan veçmas në pallatin presidencial ku shprehën vullnetin për të zhvilluar më tej marrëdhënien  strategjike mes dy vendeve.

E ndërtuar në stilin osman të arkitekturës xhamia “Çamlica” është projektuar të përballojë një kapacitet prej 63 mijë besimtarësh. Gjashtë minaret e saj përfaqësojnë gjashtë aspekte kryesore të besimit, thuhet në përshkrimin e veprës. Përveç xhamisë, kompleksi përmban edhe një muze të artit turk islamik, si edhe një bibliotekë, galeri arti, sallë konferencash dhe disa punëtori.

Tv Klan