Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të njohur lartësitë Golan si pjesë territoriale të Izraelit ka shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare. Për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, vendimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë paralajmëron një krizë të re në Lindjen e Mesme.

Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë:

Deklarata e mjerë e presidentit amerikan po e çon rajonin drejt tensioneve të reja. Nuk ka shanse të lejojmë ligjërimin e pushtimit të lartësive Golan. Është e paimagjinueshme për ne të heshtim për një çështje kaq të ndjeshme.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova, e cituar nga mediat në Moskë, tha se vendimi i presidentit Trump dhunon vendimet e marra nga Kombet e Bashkuara. Të jashtëligjshëm dhe të papranueshëm e konsideruan vendimin edhe zyrtarët e qeverisë së Damaskut, Irani po ashtu edhe sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe Ahmed Abul Geit.

Tepër i kënaqur me këtë vendim u shpreh kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu. Mirënjohjen ia shprehu sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo që ndodhej për një vizitë në Jerusalem kur Trump shpalli vendimin.

Izraeli ka nën kontroll 2/3 e lartësive Golan që shtrihen në një hapësirë prej 1800 kilometrash katrorë. Kjo zonë u pushtua në vitin 1967 gjatë luftës 6 ditore me Sirinë. Përmes një rezolute të vitit 1981, Kombet e Bashkuara e konsideruan të jashtëligjshëm pushtimin nga Izraeli të kësaj zone, e cila është tepër e pasur me burime ujore.

Tv Klan