Presidentja e KE mbetet e befasuar gjatë takimit me kreun e shtetit turk

Presidentja e Komisionit Europian u përball me një surprizë të pakëndshme gjatë vizitës së saj në Ankara. Gjatë takimit me kreun e shtetit turk, shërbimi i protokollit i presidencës kishte parashikuar vetëm një ulëse në krahun e djathtë të Erdoanit, vend të cilin e zuri bashkëshoqëruesi i Von Der Leyenit në këtë vizitë, presidenti i Këshillit Europian Sharl Mishel.

Ursula von der Leyen u detyrua të ulej në divanin e madh të sallës, përballë kryediplomatit turk Mevlut Çavushollu, edhe presidentja e Komisionit Europian renditet më lartë në rangjet diplomatike.

Për këtë gabim të qëllimshëm apo jo, reaguan zëdhënësit e Komisionit në Bruksel të cilët thanë se von der Leyen kishte mbetur e habitur nga mungesa e përgatitjeve nga pala turke, që sipas tyre ishte në dijeni të pranisë së saj.

Mes çështjeve që shefja e KE-së kishte në axhendë për diskutim me presidentin turk ishte edhe tërheqja muajin e kaluar e Turqisë nga Konventa e Stambollit kundër dhunës ndaj grave. Marrëdhëniet BE-Turqi janë ftohur që pas grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.

Tv Klan