Pavarësisht se kontrata e blerjes së sistemit raketor rus S-400 i shkaktoi krisjen e fortë të marrëdhënieve me Uashingtonin dhe probleme të forta në vendase, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan nuk ka ndërmend të tërhiqet. Gjatë një takimi me ushtarakë në Ankara, Erdogan tha se Turqia nuk i merr leje askujt për armatimet që blen.

“Ne kemi arritur një marrëveshje me Rusinë për sistemin S-400. Ka disa që janë shqetësuar në lidhje me të. Më vjen keq, por ne nuk i kërkojmë leje askujt”.

Moska njoftoi se brenda vitit të ardhshëm do të nisë dërgimi në Turqi i një prej sistemeve më të sofistikuara mbrojtëse raketore tokë-ajër. Në Dhjetor të 2017-ës, Ankaraja nënshkroi kontratën e blerjes me vlerë 2.5 miliardë dollarë.

Për Uashingtonin është e papranueshme, që një ndër aleatët kryesorë të NATO-s të blejë armë nga armiku numër 1 i aleancës. Kontrata për S-400 ishte edhe një nga arsyet që presidenti Donald Tramp aplikoi sanksione ndaj Ankarasë, që shkaktuan rënien e fortë të monedhës kombëtare turke në fillim të Gushtit.

Uashingtoni pezulloi edhe marrëveshjen për dërgimin e 100 avionëve luftarakë F-35. Por Erdogan tha se nëse Shtetet e Bashkuara nuk i përmbahen kontratave, atëherë do të kërkojë aleatë e partnerë të tjerë tregtarë.

Tv Klan