Erdogan nuk tërhiqet nga beteja për Stambollin. Partia e tij dorëzoi në Këshillin e Lartë Zgjedhor kërkesën zyrtare për ripërsëritjen e zgjedhjeve lokale në qytetin më të populluar të Turqisë. Depozitimi i kërkesës për rivotim u dorëzua nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim pasi javën e kaluar, Këshilli i Lartë Zgjedhor turk refuzoi rinumërimin e plotë të votave në Stamboll, por u vendos një rinumërim i pjesshëm.

“Ne jemi ende të bindur se ka pasur ngjarje që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve dhe ne kërkojmë rinumërimin e tyre në Stamboll”,

tha Ali Ihsan Yavuz, Nënkryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Rezultatet ende të pashpallura zyrtarisht tregojnë se në Stamboll ka fituar Ekrem Imamollu, kandidat i opozitës në zgjedhjet lokale të 31 Marsit. Ai kryeson me një diferencë tepër të ngushtë ndaj Binali Jëlldërëmit, krahut të djathtë të Erdoganit, me rreth 0.3%.

Partia e Erdoganit pretendon për shumë parregullsi që kanë çuar në tjetërsim të rezultatit real. Ndër to përmendet edhe rasti i mbi 11 mijë votuesve, të cilët janë regjistruar si banorë të lagjes periferike Bujuk-çekmeçe, pak javë para zhvillimit të zgjedhjeve. Erdogan dhe kandidatët e partisë së tij kanë qeverisur Stambollin prej 1994-s.

Tv Klan