Presidenti i Turqisë Erdogan nuk tërhiqet nga vendimi i tij për të gjetur gaz natyror në Mesdheun Lindor, çështje që rriti tensionet me Greqinë si dhe pati reagime edhe nga vendet e BE.

Erdogan nuk i kurseu as paralajmërimet për Greqinë, për të cilën tha se që nga sot do të mbajë përgjegjësi për çdo incident që mund të ndodhë në Mesdheun Lindor.

“Tani e tutje Greqia do të jetë fajtorja e vetme për çdo incident që mund të lindë në rajon dhe për dëmet që do t’i shkaktojë vetes. Me këtë qëndrim kundër ligjit ndërkombëtar, Greqia është futur në një kaos nga i cili nuk mund të shmanget”.

Presidenti turk komentoi edhe vendimin e sotëm të Greqisë, që duke filluar nga nesër do të zhvillojë stërvitje ushtarake ajrore dhe detare në Mesdheun Lindor pikërisht pranë kufirit ku Turqia kërkon për gaz në det.

Deklarata e sotme e bërë nga Greqia rrezikon sigurinë bregdetare dhe detare të anijeve të saj në rajon. Greqia nuk ka të drejtë të bëjë stërvitje në të njëjtin rajon ku kemi bërë dhe ne”, theksoi Erdogan.

Sa i përket shpimeve për gaz në zonën e diskutuar me Greqinë, Erdogan tha se nuk do të tërhiqen.

“Ne kemi fuqinë për të mbrojtur të drejtat tona. Turqia nuk do të tërhiqet nga aksioni i Oruc Reis (anija eksploruese), dhe nuk do të tërheqë as fregatën luftarake që e shoqëron atë”.

Presidenti i Turqisë kritikoi edhe qëndrimin e Bashkimit Europian që ka mbajtur pro Greqisë në lidhje me incidentin në fjalë. /tvklan.al