Nënshkruhen 6 marrëveshje, përfshirë dhe njohja e patentave

Me ftesë të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, kryeministri Edi Rama u prit me një ceremoni madhështore në Turqi, së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar.

Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve u nënshkruan 6 marrëveshje, përfshirë dhe njohja e patentave.

Kryeministri shqiptar dhe presidenti turk zhvilluan një konferencë për mediat, ku presidenti Erdogan që në fillim të fjalës së tij, u kujdes t’i kujtonte Edi Ramës një bast të fituar me të.

“Dhamë premtimin se do të ndërtonim një spital në Shqipëri, madje vendosëm edhe bast me Ramën për këtë çështje. Shyqyr zotit që ne e mbajtëm fjalën dhe për një kohë record ndërtuam spitalin në Fier. Do të vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital që gjejnë shërim shqiptarët nga çdo rajon i Shqipërisë.”

Por bashkë me premtimin e mbajtur, vjen dhe një porosi e Erdogan e shumë përsëritur ndaj shtetit shqiptar.

“Pjesë e axhendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO-s e cila vijon aktivitetet e saj me qëllim për t’i hedhur hije marrëdhënieve tona. Ne nuk do ta lejojmë që të arrihet kjo gjë. Edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme me këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vijojë.”

Gjithsesi, kryeministri Rama e pa të nevojshme të sqaronte se bastin për ndërtimin e Spitalit, Erdogan e kishte fituar jo me të, por me shqiptarët.

Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi rolin e Turqisë në 3 momentet të cilësuara më të vështira për shqiptarët.

Më herët, kryeministri  Edi Rama vizitoi Anitkabir, Mazoleumin e “Mustafa Kemal Atatürk” për të nderuar figurën e reformatorit të madh, lider i Luftës Turke për Pavarësi, si dhe themelues e President i parë i Republikës së Turqisë.

Presidenti turk do të marrë pjesë edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor në dt 29 në Shqipëri, nëpërmjet një mesazhi që do të përcjellë online.

Klan News