Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi se vendi i tij nuk do të ndryshojë ligjin anti-terrorizëm në këmbim të liberalizimit të vizave.

“Ne do të vazhdojmë rrugën tonë, ju tuajën”, tha Erdoan në një deklaratë për shtyp. Në listën e kritereve që Brukseli i ka kërkuar Ankarasë për heqjen e vizave, është edhe ndryshimi i ligjeve që nuk përputhen me legjislacionin e Bashkimit Europian, siç është rasti i ligjit anti-terrorizëm.

Por presidenti turk këmbëngul se ndryshimi i këtij ligji nuk është i mundur pasi vendi cënohet nga një rrezik i vazhdueshëm nga terrorizmi. Ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut pretendojnë se ligjet e forta, siç është ai anti-terrorizëm, përdoren për të ndrydhur kundërshtarët, gazetarët e kritikët e presidentit.

Deklarata për shtyp e Erdogan vjen një ditë pasi kryeministri i vendit, Ahmet Davutollu, njoftoi tërheqjen si kryetarit të partisë AKP dhe si kryeministër. Mediat turke ngritën dyshime se vendimi i kreut të qeverisë erdhi pas mosmarrëveshjeve me Erdogan, pasi ky i fundit po planifikon të kthejë Turqinë në një sistem presidencial qeverisës. Vetë presidenti turk tha se kjo nuk është një kërkesë personale por një nevojë për Turqinë.

Tv Klan