Megjithëse në situatë tepër të vështirë pas zhvlerësimit historik të Lirës Turke dhe me borxhe të cilat po has vështirësi t’i shlyejë, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është shfaqur më sfidues së kurrë këtë të diel.

Zhvlerësimin e monedhës vendase e shikon si një operacion për të marrë në dorëzim Turqinë. “

Ky është një operacion kundër Turqisë. Qëllimi i këtij operacioni është të marrin në dorëzim Turqinë në të gjitha fushat. Lojën tuaj e pamë dhe ju sfidojmë. Nuk dorëzohemi

”, tha Erdogan gjatë një fjalimi të mbajtur në Trabzon.

Erdogan paralajmëroi edhe ndryshime orientimi të Turqisë, me Kinën dhe Rusinë si mundësi në horizont.  “

Ato që nuk kanë arritur t’i bëjnë dot me provokacione, me grushte shteti, tani po përpiqen t’i arrijnë me para. Thënë më shkoqur, kësaj i thonë luftë ekonomike. Nuk do të dorëzohemi. Nëse ju na sulmoni me dollarë, ne do të kërkojmë zgjidhje gjetkë. Atyre që sakrifikojnë partneritetin strategjik dhe aleancën me një shtet me 81 milionë, për marrëdhëniet me organizatat terroriste dhe për një pastor, u themi ‘lamtumirë’

”.

Vetëm me datë 10 Gusht, Lira Turke humbi 20 për qind të vlerës, ndërsa vetëm në vitin 2018, ajo është zhvlerësuar me mbi 40 për qind. Rënien më të madhe Lira e pësoi pas një postimi të Trump në Twitter, ku tha se do të rriste me 20 për qind taksat ndaj aluminit dhe 50 % taksat ndaj çelikut që vinte nga Turqia. “Marrëdhënie tonë me Turqinë nuk janë të mira këto kohë”, tha Trump, i cili ka paralajmëruar Ankaranë se do të vazhdojë me sanksione të ashpra nëse nuk do të lironin pastorin amerikan të arrestuar në Turqi, Andrew Brunson.

Por Erdogan tha të dielën se “

me lejen e zotit, ne do ta kalojmë edhe këtë. Ata po na rruajnë mjekrën, por nuk e dinë se nesër do të na dalë edhe më e fortë.

Teksa në media flitet se Trump mund të përfshijë në listën e sanksioneve edhe dhëndrin e Erdoganit, Berat Albayrak, të cilin e Presidenti turk e ka vënë në krye të Thesarit dhe Ekonomisë së vendit, shefi i Ankarasë ka nisur kontaktet me Rusinë, Kinën dhe Kuvajtin. Tema kryesore në agjendën e Erdogan është të gjejë kredi për përballimin e zhvlerësimit katastrofik të Lirës Turke. /tvklan.al