Planet e Donald Trump-it për tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Siria kanë vënë në lëvizje për të mbushur vakumin Turqinë dhe Rusinë, dy prej faktorëve më të rëndësishëm të Lindjes së Mesme, që vitet e fundit kanë thelluar dukshëm bashkëpunimin. Kjo çështje ishte në fokusin e takimit mes Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe atij rus Vladimir Putin në Moskë. Shefi i Kremlinit e konsideroi një sinjal pozitiv për stabilitetin e rajonit, tërheqjen e amerikanëve.

“Ushtria amerikane ndodhet ilegalisht në Republikën Arabe Siriane. Prania e saj nuk ka bazë ligjore ndërkombëtare. Nëse tërheqja e tyre realizohet, ky do të jetë kontribuojë në stabilitetin e rajonit”.

Putin shprehu mbështetjen për planin e dialogut mes qeverisë së Damaskut dhe përfaqësuesve politikë të sirianëve, një plan që anashkalon rebelët e YPG-së, aleatë të amerikanëve, por armiq të turqve. Për Presidentin turk, i rëndësishëm është edhe krijimi i zonës së sigurisë për të mbajtur luftën, larg kufirit turk.

“Për këtë çështje nuk kemi asnjë mosmarrëveshje. Me miqtë tanë rusë synojmë të forcojmë koordinimin tonë edhe më shumë”.

Megjithatë Ankaraja dhe Moska mbështesin palët kundërshtare në konflikt, njëra rebelët sirianë dhe tjetra regjimin e Bashar al-Assad-it. Analistët thonë se kjo tërheqje po krijon një vakum që ka ndezur sërish gjakrat mes palëve dhe mund të përkeqësojë situatën në Lindjen e Mesme.

Tv Klan