Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka thënë Papa Françeskut gjatë një telefonate se bashkësia ndërkombëtare duhet të vendosë sanksione ndaj Izraelit për veprimet e tij kundër palestinezëve .

Ai e ka nxitur Papën  të vazhdojë të flasë për konfliktin, tha zyra e presidentit .

Presidenca turke ka njoftuar se Erdogan e ka lajmëruar Papa Françeskun se Izraeli po kërcënon sigurinë rajonale dhe se bashkësia ndërkombëtare duhet “t’i japë Izraelit një mësim”.

Ai  gjithashtu “theksoi se mesazhet e vazhdueshme nga Papa Françesku kishin një rëndësi të madhe në mobilizimin e botës së krishterë dhe komunitetit ndërkombëtar” . Papa Françesku, gjatë meshës së kaluar reagoi ndaj humbjes së  jetëve të pafajshme në Gaza veçanërisht të fëmijëve  duke i cilësuar këto akte si të  “tmerrshme dhe të papranueshme”.

Rreth 200 njerëz janë vrarë në Gaza nga bombardimet izraelite dhe 10 njerëz të vrarë në Izrael nga raketa militante në javën e kaluar të luftimeve.

Statusi i Jeruzalemit lindor është një nga çështjet qendrore në konfliktin e lindjes së Afërt. Izraeli e pretendon Jeruzalemin si “kryeqytet të përjetshëm të pandashëm”, kurse palestinezët i mbeten besnik kërkesës së tyre për të pasur Jeruzalemin lindor si kryeqytet të tyre.

Klan News