Që nga arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, presidenti turk Taip Erdogan theu heshtjen dhe tha se partia kryesore e opozitës po kërkon të mbulojë gabimet dhe të mashtrojë popullin duke bërë “teatër”.
“Ata kanë humbur ekuilibrin aq shumë sa janë në gjendje të sulmojnë policinë, të kërcënojnë gjyqtarët, prokurorët. Ata po zgjedhin rrugën e lehtë për të provokuar bazën dhe për të mashtruar popullin me parulla politike. Kjo çështje e brendshme e Partisë Popullore Republikane nuk është shqetësimi i vendit dhe i popullit. Ne nuk kemi kohë për të humbur në teatrot e opozitës.”
Presidenti Erdogan është kryesori i akuzuar për arrestimin e kundërshtarit, vetëm pak ditë pasi ai do të zgjidhej zyrtarisht kandidat i opozitës për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit Recep Tayyip Erdogan, u arrestua të mërkurën i akuzuar për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist. Partia kryesore opozitare e ka cilësuar arrestimin e tij “tentativë për puç kundër presidentit të ardhshëm”.
Arrestimi i Imamoglu u kujton shumë turqve kohën kur vetë Erdogan u arrestua në vitin 1998 ndërsa mbante postin e kryetarit të Bashkisë të Stambollit.
Klan News