“Kemi disa informacione që po shqyrtohen nga shërbimet tona të zbulimit, ku thuhet se incidenti ishte i planifikuar.”

Në këtë mënyrë presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e përshkroi ngjarjen e 2 Tetorit, kur gazetari saudit Xhamal Kashogxhi nuk doli më i gjallë nga konsullata arabe në Stamboll. Përpara deputetëve të grupit të tij parlamentar, Erdogan hodhi poshtë pretendimet se vdekja e tij ishte aksidentale, siç pretendon Riadi. Referuar hetimeve nga autoritetet turke, Erdogan hodhi edhe një akuzë të rëndë ndaj mbretërisë saudite.

“Fillimisht ata hoqën hard-diskun e sistemit të kamerave të sigurisë. Këtu kemi të bëjmë me një vrasje politike.”

Trupi i Kashogxhit ende nuk është gjetur, por sipas agjencive ndërkombëtare në konsullatën e Stambollit janë konstatuar nga hetimet mbetje të trupit të tij. Në këto pamje të publikuara nga mediat turke shfaqet stafi i konsullatës saudite që djeg disa dokumente pas krimit. Ankaraja ka zbuluar edhe disa audiopërgjime të këshilltarit të princit saudit Mohamed Bin Salman, ku zbulohet se ka qenë ai drejtues i operacionit për vrasjen e gazetarit dhe ku shprehet se kërkonte kokën e tij.

Tv Klan