Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, duket se është i gatshëm që të arrijë një marrëveshje me Greqinë pas tensioneve në Mesdheun Lindor.

“Ne arrijmë një pikë të përbashkët, ku çdokush mund të fitojë. Mund të ndjekim një politikë “win-win””, mësohet të jetë shprehur Erdogan përpara disa zyrtarëve të partisë AKP.

Mesa duket Presidenti turk pret që të ulet në bisedime me Greqinë, megjithatë ka theksuar se nuk do të mirëpresë vetëm Qipron.

Mes të tjerave, Erdogan ka udhëzuar zyrtarët e tij që të gjejnë iniciativat kur Turqia ka bashkëpunuar me vendet e rajonit dhe në veçanti me Greqinë.

Megjithatë ai ka insistuar se dëshira për bisedime “nuk do të thotë që Turqia do të bëjë lëshime në të drejtat e saj”.

Zbutja e toneve të Erdogan vjen në momentin kur Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka bërë thirrje që dy vendet të gjejnë dialogun. Ndërkohë BE ka paralajmëruar sanksione për Turqinë./tvklan.al