E vetmja zgjidhje që furrat e bukës të përfitojnë çmimin e subvencionuar të energjisë 7.1 lekë për kilovat orë është që energjinë që konsumojnë ta përdorin vetëm për prodhimin e bukës dhe jo për qëllime të tjera.

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike ishte i prerë, kur tha se nëse ata prodhojnë edhe produkte të tjera, atëherë çmimi do të paguhet 14 lekë për kilovat orë. Mundësia që mbetet, sqaroi Petrit Ahmeti, është ndarja e aktivitetit në dy pjesë.

Gjatë raportimit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, kreu i ERE-s tha se ka pasur presione gjatë vitit të shkuar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por pavarësisht kësaj vendimi i komisionerëve ka qenë në mbrojtje të tarifave për qytetarët.

Në raportin vjetor ERE raporton se numri i ankesave të konsumatorëve për mbifaturim të energjisë elektrike gjatë vitit 2017-ë është përgjysmuar krahasuar me disa vite më parë, ndërsa kompania e shpërndarjes ka ulur nivelin e humbjeve në rrjet.

Sipas të dhënave të fundit, për 3 muajt e parë të vitit OSHEE ka ulur me 2.6% humbjet e energjisë krahasuar me një vit më parë dhe arkëtimet janë në nivelin e 177 milion dollarëve.

Tv Klan