Në kohën e thatësirës së madhe që ka prekur rajonin, Shqipërisë i duhet që të kryejë importe me çmime të shtrenjta të energjisë elektrike.

Kjo situatë do të prekë edhe investimet e Kompanisë së Shpërndarjes. Në një intervistë për Televizionin Klan, kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, thotë se vlera që do të zbresë nga buxheti i OSHEE-së llogaritet të shkojë në 12 milionë euro.

Kohët e fundit një përplasje institucionale ka ndodhur mes ministrave teknikë të emëruar nga Partia Demokratike dhe institucioneve që duhet të garantojnë furnizimin me energji të vendit.

Një vendim për autorizimin e KESH që të përdorë disa fonde të Bankës Botërore për të bërë import të energjisë, nuk është pranuar të firmoset nga 4 ministra të PD-së. Petrit Ahmeti nuk pranon që të përfshihet në debatin politik, por gjykon se importet duhet të kishin nisur më parë.

Kreu i ERE-s thotë se në një situatë të tillë, ku gjithë vendi është duke vuajtur nga thatësira, lajmi i vetëm i mirë është që blerja e energjisë nuk do të prekë buxhetin e shtetit.

Tv Klan