Nuk ka ende një diagnozë pas kolapsit

Tashmë që rreziku i madh kaloi dhe është koshient, Christian Eriksen kërkon të dijë pse ndodhi kolapsi në fushë. Pas frikës së madhe, është koha për analizë mjekësore dhe reflektim njerëzor. Eriksen dëshiron të gërmojë më thellë, pas episodit që i ndodhi gjatë ndeshjes Danimarkë-Finlandë të “Euro 2020”.

Analizat e një dite më parë dolën negative dhe lojtari do t’iu nënshtrohet testeve të mëtejshme për të kuptuar se çfarë qëndron pas atyre momenteve terrori.

Mesfushori i Interit, i cili vazhdon të marrë mesazhe mbështetjeje nga e gjithë bota e futbollit dhe më gjerë, është në shoqërinë e gruas dhe prindërve të tij në spitalin e Kopenhagenit, pak metra larg nga stadiumi ku për pak humbi jetën.

Miku dhe menaxheri i tij ka deklaruar se është me humor të mirë.

“Të gjithë duam të kuptojmë se çfarë i ndodhi, ai dëshiron ta dijë gjithashtu. Mjekët po bëjnë analiza të hollësishme, do të duhet kohë. Tani, ai thjesht duhet të pushojë”.

Christian Eriksen do të mbetet nën vëzhgim edhe pse vetë dëshiron të brohorasë për shokët e skuadrës. Ai kërkon të rikthehet në fushë por kjo mbetet për t’u parë, pasi është një vendim që u përket mjekëve.

Tv Klan