Erion Braçe pritet të drejtojë Komisionin për Dezinformimin, një nismë e PS për të luftuar ndikimet e huaja që kërkojnë destabilitet në vend. Mazhoranca ka propozuar 6 nga 11 anëtarët që do të ketë ky komision.
Teksa drejtimi i është besuar Erion Braçes, pjesë e këtij komisioni do të jetë edhe kreu i grupit parlamentar Bledi Çuçi, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Eni Zake dhe Etilda Gjonaj.
Ndërsa 5 anëtarët e tjerë pritet të jenë nga opozita, e cila ka shprehur skepticizëm. Në votimin e së enjtjes, për ngritjen e këtij komisioni një pjesë e opozitës nuk mori pjesë ndërsa ata të cilët ishin të pranishëm ngritën kartonat e kuq.
Nga disa deputetë demokratë kjo nismë e PS shihet si një përpjekje për të vendosur censurë mediatike.
Por ndryshe mendon PS, e cila me këtë komision thotë se synon vetëm ndalimin e përpjkjeve të vendeve jo mike për të sjellë destabilitet në vend nëpërmjet dezinformimit. Dokumenti mbi të cilin është bazuar ngritja e këtij komisioni ka të bëjë me memorandumin e bashkëpunimit të firmosur në 15 shkurt nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë vizitës në Tiranë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Klan News