Kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj deklaron se më 30 Qershor qytetarët shqiptarët do të kenë mundësi që të votojnë paqësisht në 1 mijë qendrat e votimit. Në një intervistë për Televizionin Klan, Veliaj ftoi të gjithë simpatizantët e partive opozitare që të marrin pjesë në zgjedhje, duke vendosur familjen para partisë.

“Më rezulton që do të kemi shumë votues edhe të PD e LSI dhe të PDIU që në fund fare kanë arritur të kuptojnë që partia e tyre kryesore është familja e tyre. Për sa kohë që në këtë qytet është punuar për familjet e tyre, pra nëse ka një çerdhe, kopsht, shkollë që funksionon më mirë, më shumë hije e gjelbërim në qytet, më shumë kënde lojrash, nëse infrastruktura e asfalti kanë ardhur më pranë banesës së tyre, nëse është dyfishuar furnizimi me ujë, të gjitha këto janë arsye për të thënë që familja ime është partia kryesore dhe kemi shumë raste ku edhe në takimet tona kemi pasur të djathtë apo të LSI që thonë: Nuk më intereson çfarë thonë shefat e partisë, këto zgjedhje janë për familjen time, ndaj do vij aty bashkë me ata të shtëpisë, për të treguar se si e dua qytetin dhe se si dua që të vijojmë këto punë në Tiranë”, tha Veliaj.

Kandidati socialist shtoi se fokusi do jetë në një situatë qytetare në një ditë paqësore.

“Njoh shumë të rinj që do votojnë në mëngjes e më pas do ikin në plazh,të moshuar që do presin të kalojë vapa e pastaj do vazhdojnë pasdite. Për 1000 qendra do jenë 1000 hapësira të qeta, paqësore, ku do të votohet për mënyrën si duam të ecim përpara në Tiranë, për dy kandidatët, ose për 44 partitë që në fakt aty shoh edhe një garë më të fuqishme. Kam parë në terren se si shumë prej partive të reja që do të zënë vakumin e atyre që zgjodhën të largoheshin nga fusha e betejës do të kenë besoj edhe shumë anëtarë në Këshillin Bashkiak”, u shpreh ai./tvklan.al