Erisa Zykaj: “Procesi i liberalizimit të vizave afatshkurtra me qytetarët shqiptarë po gjen një mbështetje të gjerë në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që janë duke shqyrtuar raportin e vlerësimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Bosnjën, raport ku progresi i Shqipërisë është i dukshëm më i avancuar sesa ai i Bosnjës. Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, rezulton se Shqipëria ka prodhuar rreth katër herë më shumë pasaporta biometrike sesa Bosnja. Konkretisht, deri në datën 9 Prill 2010, Shqipëria ka lëshuar 497 mijë pasaporta biometrike, ndërkohë që Bosnja ka lëshuar 114 mijë e 625 pasaporta biometrike. Pasaportat e lëshuara nga Shqipëria përmbajnë edhe foton edhe gjurmët e gishtave, ndërkohë që pasaportat boshnjake përmbajnë foton biometrike, por janë vetëm teknikisht gati për të përmbajtur gjurmët e gishtave. Lidhur me bllokun e krimit të organizuar Shqipëria ka ndryshuar dhe përmirësuar ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, ndërkohë që Bosnja nuk ka dhënë informacion për këtë. Komisioni Evropian vlerëson se zyra e Interpolit në Shqipëri është e kompletuar me personel të kualifikua në një kohë që në Bosnjë, zyra e Interpolit ka nevojë për personel shtesë. Po ashtu, Shqipëria ka ratifikuar konventën e OKB-së për krimin e organizuar, ndërkohë që Bosnja nuk e ka ratifikuar këtë konventë. Lidhur me bllokun e kontrollit të kufijve, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, sistemi TIMS funksionon në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që shkëmbimi i informacionit mes strukturave policore në Bosnjë bëhet rast pas rasti. Për bllokun e korrupsionit dhe pastrimin e parave, legjislacioni i Shqipërisë kundër krimeve financiare është i harmonizuar sipas standardeve evropiane, ndërkohë që Bosnjës i kërkohen përpjekje të vazhdueshme për ta harmonizuar këtë legjislacion. Ndryshe nga tre vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria dhe Bosnja kanë procedura më të gjata si rrjedhimi i hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës duke qenë se Parlamenti Evropian është kthyer në vendimmarrës, ashtu si dhe Këshilli i Ministrave. Gjithsesi institucionet evropiane parashikojnë që liberalizimi i vizave afatshkurtra për Shqipërinë dhe Bosnjën do të bëhet brenda këtij viti”./tvklan.al