Policia e Fierit ka shpallur në kërkim Ermal Binjakun pasi dyshohet të jetë autori kryesor i ngjarjes së 8 janarit ku u vra shtetasi Denis Kasa dhe mbetën të plagosur Klement Kastratit e Elton Margaritit.

Shtetasi Ylli Nazeraj u ndalua pasditen e së mërkurës me Urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si bashkëpunëtor në ngjarje.

Gjithsej për ngjarjen janë arrestuar dy bashkëpunëtorë të Binjakut si dhe oficeri i SHISH, Florian Bushi, i cili i kishte dërguar Ilir Memushajt dokumentat e përgjimit të SHISH për Denis Kasaj-n dhe shokët e tij.

Pista e Hakmarrjes ka çuar hetuesit drejt Ermal Binjakut dhe përgjimit të bisedave telefonike të tij nga ku rezultoi se ka folur me Ylli Nazerajn në lidhje me ngjarjen në Mbrostar.

Ky i fundit sipas Prokurorisë  ka vënë në dispozicion mjediset e magazinave në pronësi të tij në afërsi të qafës së Koshovicës për mbajtjen e makinës me të cilën u krye atentati.

Po ashtu prokurorët thonë se ka prova që vërtetojnë se Nazeraj ka qënë në vendin e ngjarjes kur ndodhi vrasja. Shkaqet e konfliktit mes fiseve Binjaku dhe Kastrati janë të pazbardhura nga organet hetimore, por ato kanë nisur në vitin 1994 kur është vrarë kushëriri i Klement Kastratit dhe dyshimet ranë mbi vëllain e Ermal Binjakut.

Po ashtu në vitin 2000 një tjetër i afërm i Kastratit është vrarë në Fier ku i dyshuar ishte Ermal Binjaku.

Ngjarjet kanë mbetur të pazbardhura nga policia. Pikërisht ky konflitk duket se ëstë pasuar nga atentati i Mbrostarit që çoi në vdekjen e Denis Kasaj-t dhe plagosjen e Kastratit e Elton Margaritit.