Prej 24 Tetorit, çdo të dielë në Tv Klan do të transmetohet seriali më i ri shqiptar, “HOT”, i cili është një tjetër nga realizimet e Ermal Mamaqit. I ftuar në “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, Ermali tregon se përveç serialit, do të transmetohen edhe dy prodhimet e suksesshme të tij filmikë, ndërsa nuk kursen as detajet pikante nga “HOT”.

I përzierë me humor e dramë, dashuri e tradhti, Ermali zbulon pak nga shija që do të sjellë seriali.

Ermal Mamaqi: Rikthehem në Tv Klan si paketë sepse nuk është vetëm seriali HOT, por janë edhe dy filmat e mi, “I Love Tropoja”, “2 Gisht Mjaltë” që do të transmetohen. Gjithashtu është edhe një dokumentar “Making of I Love Tropoja” që do të transmetohet përpara se të jepet filmi.

Orinda Huta: Dhe kështu i përgatit fansat që në Tv Klan do të shohim dy filmat e tu më të suksesshëm, ato që kanë thyer rekorde, por edhe një serial që pritet të shihet shumë. “Humans of Tirana”, “HOT”, si lindi?

Ermal Mamaqi: “HOT” ka qenë një ide e Bjordi Mezinit. Në fakt jo tamam kështu sepse në fillimet e tij ky seria quhej “Kapiten Dinamo” dhe kjo ka qenë një luftë me Bjordin që ishte edhe ideatori dhe më pas Klaudia Brahimaj që është skenaristja personale imja, e ndryshoi ndjeshëm këtë skenar duke futur personazhe të reja, duke futur linja të tjera të zhvillimeve të ngjarjeve dhe sigurisht gjeti edhe emrin “HOT” që Bjordi nuk e pëlqeu në fillim.

Orinda Huta: Megjithatë ngacmon në momentin e parë, por duke u nisur “HOT” për tek “Humans of Tirana”.

Ermal Mamaqi: Ajo është grepi, ne themi “HOT”, njerëzit thonë paska femra ose meshkuj “HOT”, jo themi ne është “Humans of Tirana”.

Orinda Huta: Si do të jetë seriali?

Ermal Mamaqi: “HOT” është një dramedi quhet, unë s’e kisha menduar ndonjëherë këtë, por qenka dramë dhe komedi bashkë. Në disa momente bëhet prekës, në disa momente bëhet shumë funny. Anna Lika, Xhoda (Irgen Çela), Ervin Doko, Margen Çaushi janë kujdesur që të sjellin humorin në mënyrë shumë natyrale, ndërkohë që pjesa tjetër e kastit, ne të shkretët duhet të bëjmë njerëzit të qajnë. Unë jam një regjisor që punoj në një kompani reklamash që është e vjehrrit tim, pra e fejuara ime është vajza e pronarit.

Orinda Huta: Kush është prej tyre?

Ermal Mamaqi: E fejuara është Jonida Vokshi, por në fakt unë jam i dashuruar me ish-të dashurën time që ka ikur në Amerikë dhe që rikthehet për të na bërë problem, Klea Huta, por që në fakt bëj dashuri që ditën e parë të një reklame me një modele që është Megi Pojani, tek dhoma e grimit./tvklan.al