Ermal Meta dhe Fabrizio Moro janë fituesit e Festivalit të Sanremos për vitin 2018. Dyshja rrëmbeu çmimin e parë me këngën

“Non mi avete fatto niente”

. Në vendin e dytë u rendit Stato Sociale, ndërsa në të tretin Annalisa.

Meta dhe Moro e shkruajtën tekstin e këngës së tyre pas atentatit të Manchester, në koncertin e yllit amerikan të pop-it Ariana Grande.

Ditët e fundit, kënga ishte në qendër të polemikave sepse akuzohej për shkelje të rregullave të Festivalit, për shkak se kishte ngjashmëri me një këngë të prezantuar në 2016-ën, autor i së cilës ishte Moro.

Në fund produksioni vendosi që “

Non mi avete fatto niente”

mund të vijonte garën. Për të dy artistët, kjo është hera e parë që fitojnë çmimin e madh në Festivalin e Sanremos.

36-vjeçari Ermal Meta lindi në Shqipëri dhe jeton në Itali që prej moshës 13-vjeçare. Ai u transferua në Puglia sëbashku me familjen. Meta nisi të merrej me muzikë me grupin Ameba 4, si kitarist dhe për herë të parë mori pjesë në Festivalin e Sanremos në vitin 2006, në kategorinë për të rinj. 

Pak pas daljes në treg të albumit të parë grupi u nda dhe në vitin 2007, shqiptari Meta krijoi grupin La Fame di Camilla, që në periudhën 2009-2012 bëri tre disqe. Në vitin 2010, ai mori sërish pjesë në Sanremo, në kategorinë e të rinjve. Edhe ai grup u nda dhe që prej 2012-s, Ermal Meta është solist.

Përveçse këngëtar, ai është edhe një kantautor mjaft i vlerësuar. Meta ka shkruar këngë për Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri, Francesca Michielin, e të tjerë.

Fabrizio Moro është 42 vjeç dhe mban mbi supe një karrierë muzikore 20-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, ai ka publikuar 10 disqe dhe ka marrë pjesë 6 herë në Sanremo. Moro u bë i famshëm në vitin 2007, kur u shpall fitues në kategorinë për të rinj, me këngën “Pensa”.

//tvklan.al