Raportimet e fundit mediatike në Turqi flasin për largimin e personazhit kryesor, Engin Altan Duzyatan, nga seriali “Ertugrul”, në fund të sezonit dhe për një marrëveshje astronomike që ai pritet të firmosë me një tjetër kompani produksioni.

Analisti i “HT Magazin” Mustafa Dogan shkruan se kontributi i Duzyatan në kthimin e “Ertugrulit” në fenomen është shumë i madh ndërsa tashmë po korr frutet e punës së madhe prej tre vitesh.

Ai nënvizon se me 150 mijë lirat (33 mijë euro) që merr për çdo seri të re (që zakonisht transmetohet çdo javë nga tetori në Qershor), Duzyatan është në listën e aktorëve më të paguar në vend, por gjërat do të ndryshojnë vitin e ardhshëm.

Duzyatan është kthyer në një prej aktorëve më të kërkuar dhe që prej muajit Prill të vitit 2017 ka nisur kontaktet për projektin e radhës. Sipas “HaberTurk”, bisedimet kanë avancuar duke arritur në fazën e hedhjes së firmave.

Sipas gazetës turke, nëse kjo marrëveshje firmoset në kushtet e dakordësuara deri më tani, do të krijojë një tronditje në treg, pasi jo vetëm do ta bënte Duzyatanin aktorin më të paguar, por edhe me diferencë të madhe në krahasim me të tjerët.

Ai mund të marrë 4 milionë lira turke (rreth 900 mijë euro) vetëm për firmën dhe zotimin për angazhim përgjatë katër viteve të ardhshme, ndërkohë që për çdo seri të serialit të ri do të paguhet 250 mijë lira (55 mijë euro).

Mustafa Doğan paralajmëron se nëse marrëveshja firmoset me këto kushte, do të shkaktohet “tërmet” në treg, pasi edhe aktorët e tjerë do të kërkojnë shifra të tilla astronomike dhe nuk dihet nëse tregu do ta përballojë.

Ai madje paralajmëron edhe falimentimin e kompanive të produksionit, siç ka ndodhur me “Endemol Shine”, kompanisë që prodhoi “Fate të Kryqëzuara”. /tvklan.al