Deputeti i PD-së, Ervin Salianji i dënuar me një vit burg, me një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Tiranë një ditë më parë, ka vendosur të vetëdorëzohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në orën 16:45 minuta.

Duket se ka qenë ky vendimi i Salianjit pas një mbledhje të gjatë të grupit parlamentar të PD, që në fakt deklaroi se do të ngujohet pikërisht në seli, për të penguar arrestimin e tij. Por vendimi i Salianjit ka qenë pikërisht ky, të cilin e ka thënë disa herë në media, që ka vendosur t’u vetëdorëzohet autoriteteve.

Këtë e konfirmoi edhe në një deklaratë për mediat kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, i cili tha se Partia Demokratike vendosi të respektonte vendimin personal të Salianjit.

“Grupi në mënyrë unanime sugjeroi ngujimin pa afat dhe pa ndërprerje, të të gjithë deputetëve të grupit parlamentar të PD, në selinë e PD. Padyshim që ky ishte vendimi politik i grupit. Por krahas vendimit politik të grupi në këtë rast ne jemi të detyruar të respektojmë vendimin personal të deputetit Ervin Salianji, i cili ka vendosur që me të keqen të përballet edhe me koston e të shkuarit në mënyrë të padrejtë, pa ligj, pa prova në burgun politik që i ka caktuar Edi Rama”, tha Bardhi mes të tjerash.

Tv Klan