Escobar dhe Lajçak: Situata mund të shpërthejë në konflikt rajonal
Dy emisarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak e vlerësojnë si tepër konstruktiv draftin e paraqitur më tetë Qershor nga kryeministri shqiptar Edi Rama për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Unë mendoj se propozimi i kryeministrit Edi Rama për Asociacionin është serioz dhe konstruktiv. Ky propozim rrit shkallën e vëmendjes rajonale për një zgjidhje të qëndrueshme. Unë u kërkoj palëve që ta lexojnë atë”, tha Escobar.
“Edhe unë mendoj se është një propozim shumë serioz, i cili besoj se rregullon të gjitha shqetësimet e palëve. Është më mirë të diskutojmë propozime të tilla konkrete për Asociacionin sesa të merremi me protesta nëpër rrugë”, u shpreh Lajçak.
Duke folur në Këshillin Atlantik mbi zhvillimet shqetësuese më të fundit në Kosovë, dy emisarët e SHBA-ve dhe BE-së paralajmëruan pasojat serioze në rast se nuk arrihet çtensionimi i situatës, pasi ka potencial të kthehet në një konflikt ballkanik dhe me viktima.
“Jam shumë i shqetësuar, kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet evropiane”, tha Escobar.
“Mendoj se momenti është shumë i rëndësishëm dhe shumë kritik në kuptimin që ne duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm. Situata është shumë e vështirë, jam shumë i shqetësuar. Nëse nuk arrijmë të bëjmë këtë atëherë mund të ketë viktima dhe nuk mund ta përballojmë këtë”, u shpreh Lajçak.
Escobar dhe Lajçak kanë qenë me të njëjtën mendje duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të kapur nga Serbia. Ndërsa apeli ndaj Kurtit ishte formimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e komunitetit serb dhe pa parakushte.
Tv Klan