
Escobar: Nuk shoh anshmëri tek Lajçak
“I bëj thirrje Kosovës që të jetë më konstruktive”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të shqetësuara për mesazhet që vijnë nga Prishtina për dialogun dhe emisarin e BE-së Mirosllav Lajçak.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë për Europa e Lirë ritheksoi se Lajçak ka treguar papanshmëri gjatë negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian. Unë nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”.
Sa i takon rrugëzgjidhjes për të nga ngërçi Escobar tha se nuk ka alternativë përveç dialogut.
“E rëndësishmja për të dyja palët është që të vazhdojnë t’i përmbahen dialogut. Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Pra, mendoj se përgjigjja është që të dyja palët t’i dyfishojnë përpjekjet, por pala kosovare të tregojë më shumë pragmatizëm dhe më shumë realizëm në qasjen e saj ndaj Bashkimit Evropian”.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara ashtu si edhe Bashkimi Europian besojnë se brenda kuadrit ligjor të Kosovës ka hapësira për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Tv Klan