“SHBA mbështet përkushtimin për integrimin evropian”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë në rrugën e integrimit europian dhe procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicave bullgare në preambulën e kushtetutës. Mesazhin e përcolli i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Shkup, ku gjithashtu mohoi çdo lloj presioni ndaj atyre që nuk duan t’i votojnë këto ndryshime.

“Nuk do të torturohet askush. SHBA-të nuk zgjedhin qeveritë për vendet e NATO-s. Ju jeni anëtare e Këshillit eurotlantik, kështu që duam që të jeni sa më pranë strukturave evropiane. Duam t’ju shohim në Bashkimin Evropian. Më vjen mirë që ka nisur ky proces dhe shpresoj se do të vazhdojë.”

Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski vizita e Escobarit në Shkup tregon qartë mbështetjn e SHBA-ve për Maqedoninë e Veriut.

“SHBA-të ishin, janë dhe do të jenë, mbështetësit më të mëdhenj në të gjitha proceset kyçe të RMV-së. Integrim e jo izolim. Shpresoj që deputetët si përfaqësues të popullit do të miratojnë vendim të guximshëm që të bëhemi anëtarë të BE-së deri më 2030.”

Gjatë qëndrimit në Shkup, Eskobar u takua edhe me liderin e opozitës, Hristian Mickoski, por pas takimit, VMRO-DPMNE bëri të ditur se ai nuk kishte ndryshuar qëndrim lidhur me ndryshimet kushtetuese, ndërsa ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Klan Maqedonia