PD kërkon verifikimin e Mark Babanit

PD kërkon verifikimin e Mark Babanit

11:02 10/09/2019

“I dënuar jashtë dhe me tre emra”. Reagon kryebashkiaku: Shpifje

Pas Valdrin Pjetrit dhe Agim Kajmakut, Partia Demokratike i kërkoi sot Prokurorisë verifikimin e një tjetër emri nga të zgjedhurit socialistë të 30 Qershorit. Selia blu i ka dërguar organit të akuzës të dhëna dhe indicie për kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Mark Babani, për të cilin thotë se ka qenë i arrestuar/i ndaluar në të paktën dy vende.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003.”

Selia blu hedh dyshime se kryebashkiaku ka gënjyer edhe për identitetin në formularin e dekriminalizimit. Sipas PD, Babani ka mbajtur tre emra: Mark Ndoc Babani, Marq Saimir Babaj dhe Ylli Saimir Babaj. Një tjetër dyshim ngrihet edhe për kohën e qëndrimit të tij në Itali.

“Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real. Mark Babani, i emëruar nga Edi Rama në Bashkinë e Vaut të Dejës, nuk i ka deklaruar në formular.”

Por nuk ka vonuar reagimi i kryebashkiakut të Vaut të Dejës. Nga zyra e tij, Babani mohon të ketë qenë i arrestuar, i ndaluar apo dhe i dëbuar nga Italia, apo Maqedonia e Veriut.

“Gjithë jetën unë, babai im dhe gjyshi im nuk i ka bërë kush 24 orë burg me të gjithë qeveritë që kanë qenë këtu, as me qeverinë e Zogut, as me qeverinë komuniste, as sot në demokraci. Do të më vinte turp të ndryshoja emrin për një motiv, apo një tjetër.”

Babani thotë se do të denoncojë Partinë Demokratike për shpifje dhe se është i gatshëm t’i vihet në dispozicion organeve të drejtësisë.

Tv Klan

Të ngjashme