“Është kërkesa e Trump, pranojeni”, Zv/Kryeministri i Kosovës tregon prapaskenat në Shtëpinë e Bardhë


“Është kërkesa e Trump, pranojeni”, Zv/Kryeministri i Kosovës tregon prapaskenat në Shtëpinë e Bardhë

22:26 07/09/2020

Pjesëmarrja në Minishengenin Ballkanik është një pikat e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Zv/Kryeministri i Kosovës Driton Selmanaj, në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka treguar se cilat kanë qenë bisedimet për këtë çështje, për të cilën Kosova kishte refuzuar të ishte pjesë e Minishengenit Ballkanik, ku bën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbisë.

Selmanaj u shpreh se pjesëmarrja në Minishengenin Ballkanik ka qenë kërkesë e vetë Presidentit amerikan Donald Trump.

“Kur ne kemi shprehur rezervat tona kemi thënë është e papranueshme të bëhemi pjesë e një projekti sepse rruga jonë është e qartë, është Bashkimi Europian. Na është thënë që çështja e minishengenit është kërkesë e Presidentit Trump. Ju lutem që këta ta pranoni, dhe këtë e pranuam kështu”.

Një tjetër pikë e marrëveshjes është vendimi që Kosova të mos aplikojë për 1 vit për t’u anëtarësuar në organizmat ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të ndalojë për 1 vit fushatën për çnjohjen e Pavarësisë së Kosovës. Zv/Kryeministri kosovar ka dhënë sqarimet e nevojshme përse u pranua kjo pikë në marrëveshjes.

“Pika e dytë ka qenë rezerva që a duhet Kosova të ketë moratorium për mos anëtarësim në organizma ndërkombëtarë. Kemi vlerësuar që më shumë i bëjmë dëm shtetit të Kosovës nëse aplikojmë dhe nuk pranohemi”. /tvklan.al



Të ngjashme