Hajdar Zhobe, banor i lagjes “Zogu i Parë” në Elbasan tregon në “Stop” se është pronar i një dyqani, por nuk disponon truallin. Në ZRPP-në e Elbasanit i thanë t’i drejtohej Ministrisë së Financave. Tek Financat i thanë që duhet të paguante 4 milionë e 300 mijë lekë për truallin. Pasi kreu edhe këtë procedurë, i erdhi si përgjigje se tokës i ka dalë pronari. Por tani Hajdar Zhobe nuk po merr dot paratë e tij mbrapsht. Drejtori i shërbimit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Elbasan, thotë se ky është një rast i vecantë, për të cilin do të ketë një përgjigje. Se kur do të marrë përgjigje qytetari, drejtori nuk e thotë.

Hajdar Zhobe:

 Unë personalisht jam pronar i një dyqani, i cili në vërtetimin hipotekor ka një mangësi. Më rezulton që nuk është trualli dhe për këtë i drejtohem Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ata më thanë se duhet t’i Drejtohesh Drejtorisë së Drejtimit të Pronave, në Ministrinë e Financave Tiranë.

Gazetarja: D.m.th. ju jeni posedues i ligjshëm i objektit, por jo i truallit?

Hajdar Zhobe: Po, po. Dhe për këtë shkoj në Tiranë, paraqes dokumentacionin përkatës që më kërkonin dhe pasi ranë dakord më thanë që të protokollojmë dosjen duhet të paguani taksën e truallit nga viti 2010 deri në momentin që fillon procedura. Nuk e di toka ishte privat apo shtet? Por përderisa shkova dhe më thanë se duhet ta blini në shtet, se si rezultonte duhej ta zgjidhnin vetë. Dhe për këtë, unë pasi bëra pagesën në drejtorinë arsimore në Elbasan, e çoj faturën në Tiranë dhe protokollohet dosja.

Gazetarja: Sa ishte fatura?

Hajdar Zhobe: Rreth 4 milionë e 300 mijë lekë. Atëherë unë shkoj vetë në Ministrinë e Financave në Tiranë. Ata më dhanë një përgjigje negative që e kam edhe me shkrim dhe më thonë që trualli që ju kërkoni të blini u përket personave privatë, kështu që ata e zotërojnë plotësisht truallin. Dhe për këtë atëherë më lindi e drejta të kërkoj paratë e derdhura. Por Drejtoria Tatimore e Elbasanit ma vonoi shumë çështjen duke më quajtur person fizik dhe duke më çuar tek Apeli Tatimor në Tiranë, gjë që s’ka lidhje fare me këtë, sepse unë nuk jam person fizik në rastin konkret. Dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje për lekët e mija që se di ku kanë vajtur.

Është bërë tashmë praktikë që kur qytetarët nuk paguajnë në kohë detyrimet që kanë ndaj shtetit, atyre ju faturohet edhe kamatvonesë. Por në fakt, pyetja që ngre “Stop” është që atyre qytetarëve që paratë u janë marrë gabimisht, kjo si pasojë e keqinformimit institucional, a ju paguhet kamatëvonesa vallë?

Për rastin e Zotërisë, Emisioni “Stop” iu drejtua zyrave rajonale tatimore Elbasan për të pyetur përse këto para nuk i kthehen zotërisë.

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan:  E di problematikën. Ka ardhur këtu te neve, që ka bërë diferencimin, sesa është pagesa, që duhet të bëjë. Afërsisht 4 milionë e 300 mijë ka paguar detyrimin. Ministria, pasi ka bërë pagesën, i ka thënë, se juve nuk duhet ta paguani, pasi kjo pronë, nuk është në shtet. Por është e x-it dhe ypsilonit. Erdhi zotëria për rikthimin e shumës. Drejtoria rajonale tatimore Elbasan, nuk mund të nxjerri, nuk mund të rimbursojë lekë. Se gjithë rimbursimet bëhen në drejtorinë. Këtu thjeshtë bëhen akte kontrolli dhe kjo është rast specifik. Nuk ka ndodh rast, pra, është rast i veçantë.

Gazetarja: Çfarë ndodh tani me këto lekë?

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan:  Këto lekët do i kthehen zotërisë.

Gazetarja: Kur do t’i kthehen lind pyetja?

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan: Zotëria në Dhjetor ka bërë pagesën.

Gazetarja: Po! Jemi në Shkurt!

Drejtori i Shërbimit të tatim-paguesve Elbasan:  Lekët, ai do t’i marri shumë shpejt, jo se nuk dihet, se kur. Por, që të ta them një datë të sigurt, mbase dalin dhe lekët nesër.

/tvklan.al