Albert Zaja mohon akuzat: Isha në Vlorë ditën e atentatit

Ky është momenti kur 37-vjeçari Albert Zaja, i arrestuar si autor i dyshuar i vrasjes së Shkëlzen Kastratit, mbërrin në Gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie.

Në seancën e kësaj të mërkure, që zgjati rreth 1 orë, prokurorja Elida Hoxha kërkoi që Zaja të qëndrojë në burg deri në përfundimin e hetimeve. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga avokati mbrojtës, i cili është shprehur se nuk ka prova që ta përfshijnë 37-vjeçarin në vrasjen e Kastratit, ndërsa ka deklaruar se klienti i tij ka qenë në Vlorë atë ditë dhe ka shkuar në shtëpi me makinën e një shoku. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve në proces, gjykatësja Adelina Zarka, vendosi të japë për Albert Zajën masën arrest me burg.

Gjatë seancës gjyqësore, Zaja ka kërkuar që të mos qëndrojë në burgun e fierit, por të transferohet në një tjetër vend të vuajtjes së dënimit. Ai ka deklaruar se në këtë burg i rrezikohet jeta, pasi i trembet ndonjë hasmërie të mundshme nga të afërmit e viktimës. Por as kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga gjyqtarja. 

Albert Zaja u arrestua në një operacion të RENEA-s të dielën në Nikël të Fushë-Krujës dhe dyshohet se është autori i vrasjes së Shkëlzen Kastratin mëngjesin e 1 Shkurtit në qytetin e Fierit. 37-vjeçari kur ka parë se është rrethuar nga RENEA ka fshehur në baltë një pistoletë që e mbante me vete dhe ka tentuar të largohet.

Për vrasjen e Shkëlzen Kastratit ndodhen në kërkim edhe 3 persona të tjerë, të dyshuar si bashkëpunëtor. Ata janë Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Silvio alias Roland Cara.

Tv Klan