Ethet e Europianit ku për të dytën herë është pjesë dhe kombëtarja shqiptare nuk i kanë lënë indiferentë as parlamentarët.

Për shkak të ndeshjes së parë të ekipit kuq e zi në përballjen me Italinë të shtunën shumë deputetë jo zyrtarisht i kanë kërkuar kryeparlamentares që seanca plenare e të enjtes të afrohej ditën e mërkurë, çka u miratua si kërkesë në konferencën e kryetarëve javën e shkuar.

Por për disa deputetë të opozitës, kjo u shndërrua në një arsye për të bërë debat në seancën e sotme.

“Ju keni vendosur që kuvendin ta trajtoni si dyqanin tuaj personal”, tha Bardhi.

“Së pari ju jeni me vonesë pasi duhej ta kishit trajtuar në seancën e kaluar plenare kur u votua kalendari dhe programi i Kuvendit”, tha Ermonela Felaj.

Një tjetër çështje që shkaktoi debate edhe pse shumë herë më të qetë se seanca e javës së shkuar lidhej me refuzimin nga kryeparlamentarja të kërkesës së opozitës për interpelancë urgjente me kryeministrin.

“Jemi njohur me një përgjigje banale të kryetares së Kuvendit që një kërkesë të deputetëve për të verifikuar dhe kërkuar llogari kryeministrit për keqpërdorimin e parave publike na e cilësojnë si cënim të nderit dhe dinjitetit të kryeministrit”, tha Bardhi.

“Nuk u pranua për faktin se kjo interpelancë paraqet në të çështje që nuk janë në përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, cënojnë nderin, jetën private ose personalitetin e një individi ose një institucioni”, tha Felaj.

Pas kontestimit nga ana e deputetëve të urdhrit të kryeparlamentares u hodh në votim dhe u rrëzua me shumicën e votave socialiste.

Tv Klan