Greqia i bllokoi Shqipërisë 5 kapitujt e anëtarësimit në BE

Pas Kathimerinit, edhe Euraktiv, një media e specializuar për çështjen e BE-së, ka konfirmuar veton e Greqisë ndaj Shqipërisë sa i përket procesit të anëtarësimit.

Greqia po bllokon një letër nga 27 vendet anëtare drejtuar Komisionit të BE-së për hapjen e pesë kapitujve të parë të procesit të anëtarësimit, shkruan Euraktiv, duke shtuar se Athina po i bën presion Tiranës të tregojë “kreativitet” për të zgjidhur një krizë të vazhdueshme dypalëshe.

“Gjatë fundjavës, qarkulluan zëra se Athina kishte refuzuar të mbështeste një letër që i kërkonte Komisionit të hapte pesë kapitujt e parë të negociatave. Një burim i Këshillit të BE-së i afërt me këtë çështje konfirmoi për Euractiv se kjo është e vërtetë”.

E pikërisht shkak i përplasjes së fortë mes dy vendeve lidhet me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar dhe i akuzuar nga drejtesia shqiptare për shit-blerje votash.

Athina zyrtare i ka bërë vazhdimisht thirrje Shqipërisë që ta lejojë atë të bëjë betimin, duke e cilësuar atë të motivuar politikisht dhe etnikisht.

Duke ofruar si propozim diçka kreative për qeverinë shqiptare, Greqia ka sugjeruar diçka ekstraligjore që Beleri të betohet me anë të një noteri.

Qeveria shqiptare nga ana e saj ka mbajtur qëndrimin se nuk mund të ndërhyjë në proceset gjyqësore dhe sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë rrugën e tij.

Kryeministri Edi Rama në qëndrimet e tij të herë pas hershme në lidhje me këtë çështje ka deklaruar se nuk besonte se kjo do të ndikonte në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.

Shefi i qeverisë shqiptare është shprehur për lënien pezull të betimit të Belerit, edhe pse kanë kaluar afatet ligjore, e kjo gjersa drejtësia të japë verdiktin përfundimtar mbi çështjen që po gjykohet.

Sakaq, Greqia ka paraqitur së fundmi pretendimet e saj edhe mbi censusin e popullsisë që po zhvillon Shqipëria dhe të drejtat e pronësisë në zonat e minoritetit.

Tv Klan