Përballja më tërheqëse e çerekfinaleve të Euro 2016 është padyshim përballja e së shtunës, Itali – Gjermani, në Bordo. Një ndeshje që ngjall shumë kujtime të fundit në Europianin e kaluar, ku italianët eliminuan gjermanët në gjysmëfinale, me golat e Mario Ballotelli. Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low pranoi në një konferencë se në atë takim gabuan, por i ndihmoi që të përmirësoheshin.

Joachim Low – Trajner i Gjermanisë: 

“Nuk i frikësohemi Italisë. Kemi besim te aftësitë tona. Në 2012 ishim akoma pa përvojë. Unë planifikova të bllokoja Pirlo, por plani nuk funksionoi dhe e marr unë pëgjegjësinë. Ajo humbje na ndihmoi të përmirësoheshim dhe fituam botërorin në 2014”.

Joachim Low pranoi se italianët mbrohen mirë, por edhe kundërsulmojnë.

Italia eliminoi Spanjën, kampionen e 2012, ndërsa Gjermania la jashtë garës Sllovakinë. Te italianët shqetëson De Rossi, ndërsa Candreva ende nuk e ka kaluar dëmtimin dhe ka mungesa edhe për shkak kartonësh.

Çerekfinalet nisin të enjten me Poloni – Portugali, ndërsa sfidat e tjera janë Uells – Belgjikë dhe Francë – Islandë.

Tv Klan