Skuadra kampione përfiton 30 milionë Euro

Ky do të jetë Europiani më bujar në aspektin e shpërblimeve. UEFA do të shpërndajë 331 milionë euro 24 skuadrave pjesëmarrëse, 30 milionë më shumë se ai i mbajtur në Francë në 2016.

Fillimisht ishin parashikuar 371 milionë euro, por buxheti u ul për shkak pasojave ekonomike të pandemisë së Covid-19. Secila skuadër pjesëmarrëse do të përfitojë menjëherë 9 milionë e gjysmë euro.

Bonusi shtohet me çdo rezultat. Çdo fitore në fazën e grupeve vlen 1 milionë euro, ndërsa barazimi 500 mijë. Kalimi me sukses në fazën 1/8 të shton 1 milionë e gjysmë Euro, çerekfinalet 2 milionë e gjysmë, gjysmëfinalet 4 milionë dhe arritja e finales 5 milionë Euro.

Përfaqësuesja që do të ngrejë trofeun do të përfitojë 30 milionë euro. UEFA nuk do ta ndjejë këtë shumë parash, pasi Europiani pritet të sjellë 2 miliardë Euro arkëtime, nga të cilat 850 milionë parashikohen të jenë fitime.

Tv Klan