Veterani i “Bluve” Antoine Griezmann, me 129 ndeshje me përfaqësuesen dhe 44 gola të shënuar është kthyer në një nga simbolet e skuadrës së Francës.

Në prag të ndeshjes hapëse për Euro 2024 ndaj Austrisë, ai ka dhënë një intervistë për “UEFA.com”.

Si është gjendja e ekipit në kuadër të debutimit në “Euro 2024”?

Griezmann: Jemi mirë dhe kemi besim. Fizikisht jemi gati. E dimë që kundër Austrisë do të jetë shumë e rëndësishme për ta nisur mirë turneun. Do të jemi të bashkuar nga fillimi në fund. Të gjithë do të jemi në të njëjtin drejtim, ky do të jetë çelësi i suksesit tonë.

Cili është shkaku i qetësisë që transmeton Franca?

Griezmann: Mendoj se kjo është prej faktit që kemi luajtur ndeshje të shkëlqyera dhe në nivele të larta. Ndihemi shumë mirë edhe në kombëtare, dhe pastaj ka lojtarë të mëdhenj. Të kesh një trajner si Deschamps, që beson shumë, është një tjetër faktor shtesë. Kur mbërrijmë në stadiume, apo kur shohim njerëz para televizorit me fanellën e kombëtares apo flamurin francez, kjo na motivon.

Cilët janë rivalët e Francës për fitimin e “Euro 2024”?

Griezmann: Mendoj se ka disa favoritë. Është Gjermania që luan në shtëpi. Janë Holanda, Kroacia, Italia, Spanja, Anglia. Europiani është vërtet një garë e vështirë./tvklan.al