Komentet kundër Elseid Hysajt pasi uli kokën në gjuajtjen e Barella-s në ndeshjen kundër Italisë detyruan mbrojtësin shqiptar të dilte në një reagim publik dhe të kërkonte ndjesë ndaj tifozëve.

Por për Hamdi Salihin, nuk ka asnjë arsye që Hysaj të japë një shpjegim të tillë. Sipas ish-sulmuesit të kuqezinjve, Hysaj e ka treguar veten që është lojtar me kualitet dhe ka vënë zemrën në çdo ndeshje të kombëtares.

“Me thënë të vërtetën unë ka shumë vite që nuk merrem shumë, s’jam pjesë te këto rrjetet sociale fare sepse kjo këtë punë ka. Unë e njoh Hysajn ka më shumë se 20 vite, Për mua nuk kishte nevojë fare për të bërë asnjë lloj shpjegimi, asnjë lloj gjëje, sepse është lojtar me kualitet, që jo fytyrën dhe kokën e vë para topit, por e ka treguar se ve zemrën gjithmonë për ndeshje miqësore jo më ndeshje të nivelit të tillë. Për mua nuk ka gjë me u shfajësu. Ne duhet të jemi krenarë ku kemi ardhur. 50 mijë tifozët që i pamë në stadium janë prej atyre djemve, Hysajt të parit dhe atyre djemve që luajnë në fushë dhe më duket i pavend si muhabet”, tha Salihi.

Salihi tha se pas humbjes ndaj Italisë ka nisur puna për Kroacinë.

“Jemi munduar të përgatisim, të bëjmë një plan më përpara si do jetë plani i punës para se të vijmë këtu që të mos vijmë të papërgatit. Jemi munduar me analizu, me marrë gjërat që kemi bërë mirë e keq dhe me i përmirësuar. Koha është shumë e ngjeshur, por këto janë kompeticionet ku kemi ardhur tani dhe duhet të përshtatemi”, tha ai./tvklan.al