Konfindustria kërkon të bëhet monedhë zyrtare

Monedha vendase është forcuar ndjeshëm në kursin e këmbimit valutor, duke arritur ditën e martë një rekord të ri përballë Euros. Një Euro u këmbye në tregun e brendshëm me 120.8 lekë, ndërsa sot shitet me 121.07 lekë.

Për Bankën Qëndrore flukset e ardhjes së vizitorëve nga jashtë në këtë sezon turistik kanë bërë që kërkesa për lekë të rritet, çka është reflektuar edhe në kursin e këmbimit. Por për grupet e biznesit situata në këtë treg nuk justifikohet vetëm me prurjet sezonale.

“Ka ardhje të parave për shkak të sezonit turistik, por ka dhe prurje të pajustifikuara”.

Biznesi vendas, e sidomos ai eksportues është duke ndjerë kosto të mëdha për shkak të dobësimit të monedhës europiane. Gjergj Buxhuku thotë se vetëm në harkun e dy viteve të fundit euro është zhvlerësuar me 13%, aq sa është edhe norma e fitimit të ndërmarrjeve. Në këto kushte Konfindustria kërkon që autoritetet të konsiderojnë që të bëjnë euron monedhë zyrtare.

Konfindustria sqaron se kthimi i monedhës nga lek në euro do të kërkojë angazhim, por do të eliminojë pabarazitë që janë vendosur në treg nga situata e kursit të këmbimit, mes importuesve dhe eksportuesve.

Tv Klan