Sot u këmbye me 121.7 lekë

Pasi qëndroi për disa kohë në nivelet prej 122 lekë, monedha e përbashkët europiane i është rikthyer rënies këto dy ditë.

Sipas përditësimit të fundit të bërë nga Banka e Shqipërisë, një euro sot u këmbye me 121.74 leke, duke rënë me afro 0.17 lekë krahasuar me një ditë më parë.

Duket se monedha europiane po i afrohet sërish nivelit më të ulët në 11 vjet, fenomen që u arrit në datën 19 Qershor të këtij viti kur u këmbyer me 121.65 lekë

Rënien këto ditë ekspertët e lidhin me ndikimin që japin në treg të ardhurat nga turistët dhe sasinë e lartë të euros në treg për shkak të kthimit të emigrantëve.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, në 6 muajt e parë të këtij viti, kanë hyrë 630.334  shtetas të huaj në Shqipëri.

Parashikimet janë që tendenca e euros në këto nivele të vijojë edhe në muajin Gusht.

Sipas përllogaritjeve rezulton se kursi mesatar në periudhën Janar-Korrik i këtij viti të jetë më i dobët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë vit mesatarja është afro 124.4 lekë ndërsa vjet mesatarja e euros ishte 127.6 lekë.

Më shqetësuese rënia e euros ka qenë për eksportuesit e konkretisht për sektorin fason, të cilët llogarisin një dëm prej afro 105 milionë euro vetëm si pasojë e zhvleftësimit të monedhës së përbashkët europiane.  Javë më parë ata i bënë apel qeverisë që të marrë masa urgjente pasi kjo situatë po dëmton bizneset e tyre. Në të kundërt ata kanë paralajmëruar grevë, ulje pagash dhe shkurtime vendesh pune pasi fitimet i kanë rënë.

Klan Plus