Monedha e përbashkët europiane e mbyll javën në një pozitë të vështirë në raport me Lekun, teksa ka kapur vlerat më të ulëta historike.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë Euro këmbehet me 99.23 Lekë, duke arritur vlerën më të ulët historike.

Ndërkohë që sipas kursit të aplikuar në tregun e lirë një Euro këtë të shtunë blihet nga pikat e këmbimit valutor me 98.8 Lekë, ndërsa shitet prej tyre me 99.5 Lekë.

Monedha kombëtare është mbivlerësuar edhe në raport me Dollarin, i cili në pikat e këmbimit valutor blihet me 88.5 Lekë dhe shitet me 89.5 Lekë.

Sipas ekspertëve mbivlerësimi i Lekut ndaj Euros, ka goditur rëndë eksportet shqiptare. Për 8-mujorin, eksportet e mallrave shënuan rënie me 15%. Një lek gjithnjë e më i fortë, po godet edhe sektorin e shërbimeve, duke filluar nga turizmi pasi të ardhurat kryesore të vizitorëve të huaj janë në Euro. Gjithashtu, forcimi i Lekut po ndikon negativisht edhe familjet përfituese të remitancave, duke ulur të ardhurat e tyre të disponueshme në Lekë.

Ndërkohë që efekte pozitive nga forcimi i Lekut në përgjithësi ka patur qeveria shqiptare, sepse kursi i këmbimit ka qenë faktori kryesor në uljen e borxhit publik, si dhe ato familje që kanë kredi të Euro.

Klan News