Tabaku: E rrezikshme, qeveria po rrit borxhin

Shqipëria do të dalë sërish në tregjet ndërkombëtare për të marrë një Eurobond të ri me vlerë deri në 700 milionë euro. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj duke prezantuar nismën në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave bëri të ditur se marrja e këtij obligacioni të ri është në interes të Shqipërisë pasi do të shërbejë sigurimin e nevojave buxhetore, por edhe për perspektivën e investimeve.

“Emetimi i një Eurobondi ka rëndësi të veçantë sidomos për vendet me një ekonomi të vogël. Eurobondi jo vetëm na ndihmon për plotësimin normal të nevojave të buxhetit të shtetit, por përfaqëson një mundësi për të përmirësuar perspektivat e investitorëve, duke prezantuar më tej perspektivat optimiste afatmesme.”

Ibrahimaj tha se duke qenë se bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi, është më mirë të merret një borxh më i madh kë vit.

“Është në interesin tonë që të marrim një borxh më të madh këtë vit nëse ka norma të ulëta interesi dhe të mos dalim vitin e ardhshëm pasi bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi. Po ashtu edhe kriza energjetike po jep efektet e saj”.

Por opozita theksoi se kjo është shumë i rrezikshme, pasi do rrisë edhe më tej borxhin.

“Borxhi publik është në rreth 80%, jemi në listën gri për pastrimin e parave. Ministria nuk i ka marrë parasysh këto problematika dhe janë shqetësim për mua. Ne po marrim borxh por pa e ditur se për çfarë po e marrim, borxhi i marrë nuk është përdorur vetëm për investime por është përdorur edhe për shpenzime operative dhe është përdorur edhe për paga”.

Eurobondi do të jetë nga 500-700 milionë euro dhe një afat maturimi nga 7 deri në 10 vite. Ky është Eurobondi i katërt që merr Shqipëria gjatë qeverisjes së socialistëve.

Tv Klan