Kompania prodhuese e helikopterit EC 145, që u rrëzua në liqenin e Shkodrës, ka kërkuar pezullimin e të gjitha fluturimeve me këtë lloj mjeti.

Eurocopter u ka dërguar një shkresë zyrtare të gjithë klientëve të saj, të cilëve u kërkon që ky lloj helikopteri të mos ngrihet në fluturim derisa të dalin shkaqet zyrtare të rrëzimit të helikopterit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Televizioni Klan mëson se një shkresë e tillë ka mbërritur dhe në Ministrinë tonë të Mbrojtjes. Aktualisht, Forcat e Armatosura kanë në përdorim dhe një tjetër helikopter EC 145.

Por deri, në sqarimin e asaj që ndodhi 6 ditë më parë, kompania kërkon që ky helikopter të mos ngrihet në fluturim.

Kërkesa është një masë sigurie, pasi nuk përjashtohet mundësia që aksidenti të këtë ndodhur si pasojë e një defekti teknik.

Eurocopter ka pezulluar gjithashtu edhe prodhimin e këtij lloji helikopteri.

Hetimet për shkaqet e rrëzimit të EC 145 në Liqenin e Shkodrës vijojnë nga Prokuroria e Shkodrës dhe ajo e Tiranës, të cilës i janë deleguar disa veprime hetimore.

Dy oficerë të Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Tiranës janë paraqitur paradite përsëri në Regjimentin e Frakës, nga ku u nis mjeti fluturues ditën e ngjarjes. Ata sekuestruan edhe disa dokumeta të tjera, që kanë të bëjnë me internerarin e helikopterin.

Disa burime thanë për Televizionin Klan se, Prokuroria e Shkodrës ka marrë edhe një moster të karburantit që përdorte helikopteri.

Ndërsa kamera e bordit është konfirmuar se do të dërgohet në Gjermani për t’u çkoduar, për shkak të specifikës së saj.

Një prokuror shqiptar, i cili është pjesë e grupit që po heton aksidentin, do të asistojë në këtë proces në Gjermani.

Informacioni i nxjerrë prej saj, pritet të japë të dhëna të vlefshme për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, që u mori jetën pilotëve Donald Hoxha dhe Floran Delia.

Tv Klan