Zyrtarët e BE: VETO e Sofjes për Shkupin është e papranueshme

“Ngrini këmbën nga pedali i gazit, ngadalësoni pak, lëreni çështjen e identitetit dhe fokusoheni në çështje të tjera”, në mënyrë figurative theksoi social-demokrati austriak Andreas Shider në takimin e sotëm me gazetarë, në të cilin mbizotëruan pyetjet si të vihen në lëvizje negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut me BE-në, të bllokuara me VETO-n nga ana e Sofjes, e ngecur në histori.

“Është e rëndësishme të qetësohen gjërat, të mos hidhet benzinë në zjarr, siç themi në Gjermani, hiqeni këmbën nga pedali i gazit. Ka edhe të tillë që veprojnë në kundërshtim me këtë, persona me prapavijë bullgare nacionaliste kanë transmetuar video që është e papranueshme. Ka edhe të tjerë që e shfrytëzojnë këtë debat, por e them sërish, lërini çështjet e identitetit dhe punoni në tema të tjera”.

Në vend të akuzave të ndërsjellta me retorikë nacionaliste, është i domosdoshëm fokus në axhendën pozitive dhe pragmatike që sjell besim, theksoi Ilhan Kyçyk, eurodeputet nga Bullgaria dhe raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian.

“Unë nuk shoh dallime aq të mëdha që nuk mund të tejkalohen, do ta tejkalojmë procesin e vështirë. Unë ua lë historinë historianëve, por dëshiroj që politikanët ta mbajnë ritmin, të jenë të guximshëm dhe ta bëjnë detyrën. Jemi të zgjedhur që kohë pas kohe të rrezikojmë dhe të marrim vendime që i presin qytetarët tonë. Në të kundërt, gjeneratat e ardhshme do të na fajësojnë, ndërsa unë nuk dëshiroj të fajësohem”.

Shider edhe këtë herë theksoi se është interes i Rusisë dhe i Kinës që ta pengojnë integrimin evropian, por edhe se përmes burimeve hungareze ka pasur ndërhyrje dhe dezinformata për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, që sipas tij është jodemokratike dhe e rrezikshme.

Klan News