Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein nuk mendon se për Shqipërinë duhen vendosur kushte shtesë për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Në një konferencë për shtyp pas takimeve që zhvilloi në Tiranë me përfaqësuesit e të gjitha forcave politike, eurodeputeti u shpreh optimist se për vendin tonë negociatat mund të hapen në marsin e 2018.

“Unë nuk shoh asnjë kusht shtesë, deri tani ne kemi folur gjithmonë për  5 prioritete kyç dhe zgjedhjet, do të ishte e padrejtë që të vendosen kushte shtesë. Sa i takon drogës, ne presim dhe një raport të kolegëve italianë që kanë kryer dhe fluturime monitoruese në Shqipëri. Ky është një problem serioz. Ajo që duam të shohim ne është se po bëhet punë për ta pasur një situatë më të mirë në të ardhmen”.

Brukseli vendosi 5 kushte për Shqipërinë për hapjen e negociatave. Komisioni dha një rekomandim të kushtëzuar, por Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian e bllokoi. Eurodeputeti Fleckenstein tha se gjatë takimeve me forcat politike në Tiranë kishte parë vullnet pozitiv edhe përsa i takon reformës zgjedhore. Tv Klan