Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Manolis Kefalogiannis, ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama mbi procesin zgjedhor të zhvilluar më 25 Prill.

Përmes një letre dërguar kryetarit të qeverisë shqiptare. Kefalogiannis thotë se zgjedhjet parlamentare ishin të organizuara mirë. Kjo sipas tij, është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt BE.

Ky hap sipas eurodeputetit duhet të ndiqet nga zbatimi i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Kefalogiannis siguron ndër të tjera Ramën se PE-ja mbështet dhe do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE.

“Do të doja t’ju përgëzoja ngrohtësisht për procesin e mirëorganizuar zgjedhor, i cili përfundoi në një ditë të qetë dhe pozitive të zgjedhjeve parlamentare në 25 Prill 2021. Do të doja të përshëndesja qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen e tyre paqësore në këto zgjedhje.

Më lejoni të vlerësoj organizimin e mirë të zgjedhjeve parlamentare pavarësisht nga sfidat e paraqitura nga një legjislacion zgjedhor i rishikuar në kontekstin e një pandemie globale. Organizimi i suksesshëm i këtij procesi zgjedhor është një hap shumë i rëndësishëm në rrugën drejt pranimit të vendit tuaj në Bashkimin Evropian, një hap që duhet të ndiqet nga zbatimi i plotë i rekomandimeve të formuluara nga Misioni OSBE-ODIHR.

Ju mund të jeni të sigurt se Parlamenti Evropian mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Si Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, unë pres që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe të frytshëm me Parlamentin e sapo zgjedhur”, thuhet në letër./tvklan.al