Ministrat e Financave të Eurozonës e kanë shtyrë për muajin e ardhshëm disbursimin e një kësti me vlerë 1 miliard Euro për Greqinë. Takimi i Eurogrupit zhvilluar mbrëmjen e së hënës, konkludoi se qeveria greke nuk i ka bërë përmbushur të gjitha detyrimet që parashikon marrëveshja me partnerët e vendit.

Ministrat e Financave ranë dakord që vendimi për këstin të merret në takimin tjetër të tyre, që do të mbahet në fillim të muajit Prill.

Ata nuk u bindën nga deklarata e ministrit grek të Financave, Euklidis Tsakalotos, se detyrat e papërmbushuara janë të karakterit teknik e rrjedhimisht nuk duhet të pengojnë disbursimin e këstit. Gjithsesi, ministrat e Financave vlerësuan progresin e Greqisë në përmbushjen e kushteve që parashikonte memorandumi me kreditorët.

Por shtypi europian ka kritikuar Kryeministrin Alexis Tsipras, se po zgjidh qesen e ofertave sociale, me vështrimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në Tetor të këtij viti.

Revista gjermane ‘Der Spiegel’ vë në dukje se kreu i qeverisë greke po promovon masa sociale të kushtueshme, me qëllimin për t’u rizgjedhur, në një kohë që sondazhet rezultojnë kundër SYRIZA-s.

“Problemi për ekonominë greke është se sa zgjat periudha elektorale, aq më i madh është rreziku që qeveria të stopojë reformat dhe të fillojë të shpërndajë dhurata elektorale, në përpjekje për të ndryshuar klimën negative”

, thekson Der Spiegel.

Kundër premtimeve elektorale të zotit Tsipras shprehet edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin për Greqinë që u publikua të martën.

Tv Klan